Gjergj Erebara
Gjergj Ndreca ndoshta nuk do të bëhet kurrë një lider, por siç e ka nisur, ka shumë gjasa që do të bëhet frymëzues për shumë shqiptarë. Megjithëse personalisht nuk jam dakord me mënyrat që ai ka zgjedhur për të shprehur protestën e vet, nuk mund të rri pa buzëqeshur kur mendoj se si një deputeti dhe një ministri iu bënë pis kostumet, të parit nga grushtat e Ndrecës dhe të dytit, nga sharjet e tij.
Një njeri i thjeshtë, z. Ndreca po personifikon këto ditë çdo shqiptar. Politikanët e prekur po përpiqen ta injorojnë. Nuk kanë këllqet e duhura për të bërë një denoncim në polici për dhunën që kanë pësuar prej tij. Është me të vërtetë një arritje shumë e madhe dhe një shembull i vlefshëm. Rusmajli nuk ka shance të bëjë denoncim. Jo për mëshirë ndaj Ndrecës, por për shkak se nuk ka çfarë t’i thotë në gjyq. Nuk mundet të thotë psh. që është sulmuar pa të drejtë. As nuk mund t’i thotë se nuk e meritonte.
E njëjta gjë vlen edhe për z. Bode. Ministri i Parave nuk mund të thotë se Ndrecës ia ka dhënë atë çfarë i takon për vitet e burgut. Ka shumë gjasa që edhe nëse Ndreca fyen apo godet kryeministrin e vendit, as ky nuk ka këllqe t’i bëjë denoncim. Ndreca ka të drejtën në anën e tij, siç e kanë të gjithë shqiptarët, por këta të fundit refuzojnë ta kuptojnë.
Ndreca mund të bëhet një lider i madh i të shtypurve në këtë vend. Ka me qindramijëra shqiptarë që nuk kanë marrë nga qeverisja atë që i takon. Ka shumë që janë ish të persekutuar, por ka edhe shumë të tjerë që vijojnë të persekutohen nga një klikë hajdutësh. Kudo që t’i hedhësh sytë mund të gjesh dikë që po vjedh. Del në bulevard dhe gjen një tufë me horra që në emër të ligjit marrin peng makinat e parkuara keq ose gjysëm keq. Del në çdo rrugë të Shqipërisë dhe shef policët e trafikut që janë bërë një bandë më vete. Ndalojnë, i bërtasin dhe gjobisin çdo shqiptar që ka një makinë të lodhur.
Shkon në gjykatë dhe shef një orgji makinash luksoze të parkuara me fodullëkun që i karakterizon hajdutët që ndjehen të sigurtë se asnjë Ndrecë nuk mund t’i sulmojë dhe t’i kërkojë llogari për paratë që kanë vjedhur.
Ndreca është sot një frymëzues. Ai refuzon të bëhet viktimë, ndryshe nga shumica e shqiptarëve që kanë zgjedhur të pranojnë viktimizimin.
1 comment:
te kete nja 5% si z.Ndreca do behet ai vend
Post a Comment