Saturday, April 13, 2013

Votë e zezë sterrë


Gjergj Erebara

Askush, as edhe vetë nismëtarët, nuk e prisnin që thirrja për një votë proteste, pjesëmarrëse dhe abstenuese, e quajtur votë e bardhë, - por që në rastin konkret, do të jetë një votë sterrë e zezë për të mos lejuar manipulimet e zakonshme zgjedhore shqiptare, - do të shkaktonte stuhinë mediatike që shkatoi. Qe një stuhi në gotë me një gisht ujë në fund. Shumë opinionistë, që duket se janë verbuar nga antiberishizmi, (për këtë nuk u vë faj), nxituan të thonë se një votë proteste i shërben Berishës. Për pak sa nuk i akuzuan nismëtarët e protestës për “komplotistë” të organizuar nga Berisha për të sabotuar opozitën.

Është e qartë se asgjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë. Fati i zgjedhjeve në Shqipëri varet para së gjithash nga sasia e kutive të mbushura me përdhunë nëpër fshatra. Kjo është shumë e qartë kur sheh numrin e votave të hedhura për zgjedhje në krahasim me popullsinë realisht të pranishme në Shqipëri. Varet pastaj nga numëruesit, të cilët ngjajnë se janë e njëjta bandë horrash që tregtojnë votat te paguesi më i madh. Dhe në fund, kuptohet, varet nga ristanët.

Të pretendosh se një grup qytetarësh që bën thirrje për votë proteste do të ndikojë në rezultatin final të palo-zgjedhjeve do të thotë të gënjesh veten me supozimin se Shqipëria është një vend normal.

Reagimi ndaj votës së protestës ishte shumëngjyrësh. Dikush tha se kur gjendesh përballë zgjedhjeve, si në votime ashtu edhe në jetë, duhet të zgjedhësh brenda opsioneve që ke. Nuk mund t’i lejosh vetes të mos zgjedhësh, sepse kjo është arratisje nga realiteti. Por me këtë linjë arsyetimi, i bie që kur hyn në një restorant dhe të vënë përpara çorbë të prishur të ftohtë apo çorbë të prishur të ngrohtë, duhet të zgjedhësh o njërën, o tjetrën. Mendoj se ka një zgjidhje të tretë, të çohesh të kërkosh ndryshimin e kuzhinierit. Kjo mund të bëjë që të mbetesh pa ngrënë një vakt, por është e sigurt se vaktin tjetër do të kesh një kuzhinier më të mirë. Dhe nëse zgjedh të mbetesh pa një vakt, apo zgjedh të hash çorbën e prishur, kjo varet nga fakti se sa i uritur je. Dhe duke marrë parasysh se anti-berishët nuk janë tërësisht të uritur në kuptimin literal të fjalës, zgjedhja e çorbës së prishur apo refuzimi i saj varet nga fakti se sa të uritur janë për pushtet.

Pretendimi tjetër i reaguesve qe që mbështetësit e votës së bardhë “ngjajnë si” mbështetës të opozitës të zhgënjyer nga aleanca Meta-Rama. Sipas tyre, duhet gëlltitur çorba, sepse kështu rrëzohet Berisha. Pyetja që shtrohet është nëse do ta rrëzojmë Berishën për ta zëvendësuar me një joberishë, apo për ta zëvendësuar me një... berishë.

Për Shqipërinë nuk është zgjidhje që të rrëzohet Berisha ndërsa ruhet berishizmi, pra ajo mënyra e sundimit përmes kleptokracisë dhe frikësimit, mposhtjes së kundërshtarit duke përdorur dhunën shtetërore dhe jo idetë. Dhe duke zgjedhur Metën (me pushtet të dyfishtar nga marrëveshja), praktikisht ke zgjedhur Berishën. Të njëjtën çorbë.

Një tjetër shtoi se vetë “zhgënjimi” me PS-në qe iluziv sepse kjo parti ka qenë  dhe është një batak hajdutllëku dhe se Meta nuk mund ta prishë edhe më shumë çorbën. Por ka një dallim të madh mes hajdutllëkut të PD-së dhe PS-së në njërën anë dhe atij të LSI-së në anën tjetër. PD-ja dhe PS-ja, sido që të korruptuara, kanë në gjirin e vet do ideale, dhe shumë militantë të tyre janë të ndershëm. Beteja mes hajdutllëkut dhe normalitetit në këto dy parti është ende e hapur. Në fund të fundit, nuk mjafton hajdutllëku për të fituar votat e gjysmës së shqiptarëve. Dy partitë e mëdha, shumë shqiptarë i votojnë për bindje, (a trashëgimi familjare).
Me LSI-në ndryshon puna. Ajo është një parti e krijuar nga hajdutllëku për hajdutllëk. Ajo ekziston për të vjedhur dhe vjedh për të ekzistuar. Në thelb, ajo është një organizatë kriminale e strukturuar. Dhe në pikëpamje pragmatike, këtu është edhe dallimi mes hajdutllëkut të partive të mëdha dhe LSI-së. Vendi nuk dëmtohet shumë kur një ministër vjedh 1 milionë dollarë dhe bën jetë të lumtur. Në 14 miliardë dollarë që prodhon Shqipëria çdo vit, është një shifër e papërfillshme. Por vendit i shkaktohet dëm i pariparueshëm kur një sistem i tërë hajdutllëku krijohet për të blerë vota, të cilat përdoren për të vjedhur më shumë në mënyrë që të blihen më shumë vota. Dhe problemi rëndohet kur këto vota të blera qëllon që zënë atë pjesën e mesme të bilancit të pushtetit, gjë që i jep pushtet joproporcional. Pra me pak vota merret shumë pushtet, ose me pak vota mund të vidhet shumëfish.

Në një rast të tillë, hajdutllëku, si një shqetësim vetëm për moralistët, kthehet në një organizatë kriminale, e cila, nëse vijon të ekzistojë gjatë, kthehet në strukturë mafioze që konkurron për pushtet kuadrin e përgjithshëm shoqëror që quhet në disa raste shtet, e në disa raste, sundim i ligjit dhe që ka garantuar zhvillimin e njerëzimit që nga lindja e historisë deri në ditët tona.

Shqipëria rrezikon të mbetet pas kësaj si Italia e Jugut, një vend i prapambetur dhe i varfër në periferi të një oqeani mirëqenieje. E zënë në zgrip jo nga paaftësia e shqiptarëve për të zgjedhur siç duhet në zgjedhje, por nga një pushtet kleptokratik përballë të cilit, asnjë individ nuk është i sigurt dhe i mbrojtur.

Për këtë arsye, aleanca Meta-Rama nuk është e pranueshme, jo thjeshtë për moralin e munguar, por edhe si zgjedhje racionale.
Vota e zezë sterrë vështirë se do të përcaktojë fatin e zgjedhjeve. Është një koncept tepër i vështirë për t’iu shpjeguar popullatës së përgjithshme. Një grusht me vota të pavlefshme qytetarësh protestues nuk mund të konkurrojnë me rruzhdijet e Shqipërisë, as me karriget e thyera mbi kokat e komisionerëve në Ndroq, as me bastionin e çuditshëm të partisë Republikane në një katund të humbur të bregut të Kavajës. Nuk mund të konkurrojë as me gangsterizmin e Tom Doshit në Shkodër. Është si të thuash: një diskutim filozofik mes analfabetëve. Por reagimi i pamëshirshëm ndaj votës së zezë dhe lehtësia me të cilën do mbështetës të PS-së ngritën aludime për komplote botërore, do të thotë se, për fat të keq, historia e treguar për Harry Fultz dhe shqiptarët kokulur që pranuan një vakt gjithnjë e më të varfër pa protestuar, vijon të jetojë mes nesh. Por kritikët e nismës duket se nuk vuajnë për bukë. Ata vuajnë për pushtet.

No comments: