Saturday, June 29, 2013

Fjalorth i vogël i politikës shqiptare 1991-2013

Pangosje – Për shkak se në gjuhën shqipe nuk ka një fjalë të përshtatshme për “sexual harasment”, Pangosje hyri në terminologjinë politike si tipi i zyrtarit manjak që kërkon të ketë marrëdhënie seksuale me çdo aplikante për punë. Hyri në terminologjinë politike pasi emisioni investigativ Fix Fare dërgoi së paku dy vajza si aplikante të rreme për punë në zyrën e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe që të dyja përfunduan “të pangosura”.
Spiun – Kur ndokush del kundër vijës zyrtare të Partisë Demokratike, konsiderohet ‘spiun’ dmth bashkëpunëtor i shërbimit të sigurimit të brendshëm gjatë diktaturës komuniste. Është një shprehje në përputhje të plotë me medotën e propagandës që thotë: çfarëdo argumenti që t’ju japin, mos e besoni, është djalli ai që po jua thotë.
Mitingash – Një njeri që e ka për profesion të marrë pjesë në çdo miting, me apo pa pagesë në mbështetje të njërës apo disa partive njëherësh.
5 mijë lekësh – Etiketë për njerëzit që janë aq të varfër sa paguhen nga partitë politike me 5 mijë lekë të vjetra për të marrë pjesë në miting.
Mjaftist – Djalë i ri që flet gjysmë shqip dhe gjysmë anglisht, përgjithësisht i cekët, që flet për gjëra të mëdha në përpjekje për të kapur ndonjë post te partitë politike.
KOP-its – Anëtar i Komisionit për Orientimin e Politikave, një grup që funksionoi para zgjedhjeve të vitit 2005 si një argument propagandistik për të treguar se Partia Demokratike ‘ka ndryshuar’ nuk është më ajo e dhunshmja. Zakonisht punonjës i nivelit të ulët të ndonjë OJQ-je ndërkombëtare, përgjithësisht çun i bukur, jo gjithmonë i vlefshëm, që tërheq simpatinë e vajzave të vogla me një buzëqeshje rrezëlluese.
Kokpalar – Njeri që merr pjesë në një protestë të opozitës, nuk ka asnjë synim për post publik por përfundon i vrarë dhe i harruar.
Padrino – Huazuar nga filmat italianë me mafia, nënkupton ish-kryeministrin Fatos Nano, etiketuar në këtë mënyrë nga Sali Berisha, deri sa ky i fundit mori pushtetin dhe u bë mik i Nanos. Me këtë rast, Berisha deklaroi se etiketimi i kundërshtarit me fjalën “padrino” është një gjuhë fushate dhe nuk duhet të merret seriozisht.
Hi Gomar! – Emri me të cilin aktivisti shqiptaro-amerikan Geri Kokalari thërret Lulzim Bashën, pasi pa se ky i fundit u bë një grabitqar pa limit i parave publike sapo zuri vend në qeveri pas vitit 2005.
Aksident Teknologjik – Kur një grup hajdutësh punësojnë fëmijë 12 vjeçarë për të demontuar municione me shpejtësi, me synimin për të vjedhur metalin dhe barutin me të cilin janë prodhuar municione, shkaktojnë shumë të vdekur në punë e sipër, atëherë kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një defekt në përllogaritjen e nxehtësisë së krijuar nga fërkimi i gishtave të fëmijëve mbi metalin e predhave. Ky qe shpjegimi që i dha qeveria e Sali Berishës shpërthimit të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec pranë Tiranës, ku 26 vetë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën.
Qëndrestar – Një budalla naiv që vijon t’i qëndrojë besnik një udhëheqësi politik pavarësisht të gjitha të zezave që ai bën, ndërkohë që qëndrestari nuk ka asnjë përfitim materjal për veten. Termi u krijua nga mitingjet e përditshme të Partisë Demokratike në vitet 1998-2000, të cilat përfunduan me arrestimin për një natë të Sali Berishës nga aleati i tij i mëvonshëm në qeverisje, Ilir Meta.
Komunistat blu – Një term i përdorur përgjithësisht për funksionarët e Partisë Demokratike që kanë patur një karrierë si funksionarë të Partisë së Punës apo shtetit komunist.

Biznesmen – Politikan kriminel me një pasuri të madhe të fituar përgjithësisht duke shitur drogë apo duke shfrytëzuar prostituta në Europë. Thirret nga media “biznesmen” në pamundësi për t’i dhënë etiketën e përshtatshme. 

No comments: