Tuesday, August 2, 2011

Interrnimi i artë, strategjia e re e Berishës për të spastruar PD-në

Gjergj Erebara

Dymbëdhjetë muajt e ardhshëm pritet të jenë me plot lajme politike. Një brez i tërë politikanësh mund të dalë në pension të parakohshëm për t’i lënë vendin çunakëve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Partinë Demokratike. Por mundet që brezi i xhaketave të vjetra të përjetojë një rini të dytë te Partia Socialiste.

Në PD këto kohë po përzihen të vjetrit, të cilët me apo pa dëshirë po rezultojnë të bezdisshëm për kryetarin. Ndryshe nga dekada e parë e post-komunizmit, kur të bezdisshmit si Pollo, Selami, Ceka, Ruli, Meksi etj, u përzunë me dhunë, kësaj here, internimi i artë ngjan se është metoda e parapëlqyer e Berishës. Vala e internimeve të arta nisi me Bamir Topin, i cili u zgjodh president, një post pa pushtet real në vend, ku tiranasi i vjetër i PD-së u ezaurua gradualisht deri sa u shpall së fundmi, armik, për shkak se ka hyrë në vitin e fundit të mandatit dhe se duke u shpallur i tillë, i mbyllet dera në parti.

Jozefina Topalli, e cila qe në PD për shkak të cilësive të saj natyrore si femër, shkodrane dhe katolike, duket se nuk e kuptoi fort qartë se çfarë po ndodhte me karrierën e saj politike kur u bë kryetarja e parë femër e kuvendit të Shqipërisë, një post simbolik, gjithashtu pa pushtet real. Këmbëngulja e saj për t’u bërë ministre e jashtme, nuk u dëgjua. Ajo ka gjasa të kalojë nga një internim, në një tjetër. Po përflitet se Berisha do ta bëjë presidenten e parë femër të vendit pas Bamirit. Pas kësaj, ajo mund të jetë femra më e lumtur në Shqipëri. Ka kapur dy postet më të larta të vendit, për shkak të cilësisë së saj të lindur të të qenit femër.

I treti në listë është Ridvan Bode. Ekonomisti agrar që e nisi si doganier dhe u bë ministër financash, e ka tepruar ca kohët e fundit, duke zgjeruar aktivitetin e tij politik, duke krijuar një grup biznesmenësh mbështetës për veten, etj. Për të po flitet që kryeministri mendon ta dërgojë në Bankën e Shqipërisë, një karrige shumë e rehatshme kjo, por gjithsesi pa pushtet politik. Për më tepër, me t’u larguar për shtatë vjet te BSH, Bode ka pak shance të kthehet në PD.

Berisha, i cili ka si avantazh krahasues ndaj të tjerëve kursin për udhëheqës të Partisë së Punës, ka ditur gjithmonë t’i eleminojë të bezdisshmit një nga një. Vetëm se kësaj here, i janë bërë dy: Ndërsa mendon të largojë Boden për te BSH, personi që duhet të propozojë internimin e artë, është Bamir Topi, i cili, ka gjasa që nuk do ta bëjë.

Me largimin e Topit, Topallit e Bodes, Berisha po i hap rrugën grupit të të rinjve. Metodat e tij janë kopjuar fije e për pe nga mësuesi i tij Ramiz Alia, i cili ia la vendin në dorë grupit të të rinjve pasi i diskretitoi të gjithë të vjetrit.

No comments: