Saturday, August 6, 2011

Kompleksi piramidal

Gjergj Erebara
Piramida është një figurë gjeometrike jo dosido! Emri mbart kuptime dhe ndjesi të çuditshme. Gjatë rilindjes Europiane, piramidat e Egjiptit qenë simboli i vuajtjes së kotë dhe të pakuptimtë të skllevërve. Piramida është simbol i një hierarkie sunduese, forme organizimi për korporatat, alegori për skemat financiare mashtruese, simbol i pushtetit të fshehtë të masonëve, etj. Të gjitha këto e bëjnë këtë figurë gjeometrike diçka më shumë se sa një figurë e zakonshme gjeometrike. E tillë është edhe piramida e Tiranës. Unë jam në dilemë dhe nuk po arrij të zgjedh dot nëse vendimi i qeverisë së sotme për ta shembur mund të kuptohet më mirë nën kompleksin e Rozafës, apo në atë të piramidës si hierarki shoqërore. (Qeverisë thashë? Në fakt vendimi është i vetëm një njeriu: kryeministrit Sali Berisha).

Kompleksi i Rozafës është i njohur. Mania për të mohuar historinë, a thua se i përket një populli të largët, filloi me fitoren e pavarësisë dhe që prej asaj kohe nuk ka rreshtur. Shteti i paraluftës mohoi epokën Otomane, shteti komunist mohoi epokën Otomane dhe atë të paraluftës e shteti i sotëm bën pak a shumë të njëjtën gjë. Narrativa historike kërkohet diku larg në të shkuarën të cilën nuk e mbajmë mend, e rrjedhimisht mund ta shkruajmë si të na pëlqejë, por jo se si ka qenë me të vërtetë.

Kompleksi piramidal po shfaqet kohët e fundit. Ajo lidhet me paaftësinë e shqiptarëve për të jetuar pa patur një kult, për të pranuar veten ashtu siç janë, për të pranuar të shkuarën ashtu siç ndodhi, për të mos krijuar një ëndërr se si i pëlqen të jenë dhe natyrisht, lidhet me kultin e të parit të fshatit, të parit në histori, gurit themeltar.

Për të kuptuar perceptimin që shqiptarët kanë për këtë formë gjeometrike, mund të kujtojmë Ismail Kadarenë me romanin Piramida. Një objekt i kotë që synon të torturojë njerëzit dhe t’i mbajë ata të nënshtruar. Por në ditët tona, fjala “Piramidë” për shqiptarët ka vetëm një kuptim, atë të skemave financiare mashtruese që qeveria i lejoi të lulëzonin fillimisht në pritje të një palë zgjedhjesh, pastaj të një palë tjetër zgjedhjesh deri sa vendi shkoi në humnerë.

Ismail Kadare, kur shkroi Piramidën e Keopsit, më ngjan se ka bërë një profeci për shqiptarët. Me vdekjen e një faraoni, fillojnë përgatitjet për ndërtimin e piramidës së faraonit të ri. Kushdo që del kundër, akuzohet për sabotazh. Dhe në rastin e piramidës sonë, kushdo që del kundër, akuzohet si nostalgjik i faraonit të vjetër, dmth armik.

Kryeministri, i cili është ideator, nismëtar dhe ligjvënës në rastin e vendimit për të shembur piramidën kult të Enver Hoxhës dhe për ta zëvendësuar me parlamentin kult për vetveten, duket se kishte tre objektiva: e para, një debat i tillë harxhon kohë. Mediat e harrojnë korrupsionin e ministrave të tij, i harrojnë vendimet e gjykatave në kundërshtim flagrant me ligjin, etj. E dyta, në rast se piramida shembet, televizionit më të madh në vend, i cili është nga të paktët mediume jashtë sistemit të tij të disinformimit i shkaktohet një kosto financiare e konsiderueshme për shkak të nevojës për të transferuar pajisjet nga një vend në një tjetër pa shkaktuar ndërprerje të sinjalit. E treta, ai mund të shpresojë se në një ndërtesë në Tiranë, do të ketë një tabelë me përmbajtje: “populli shqiptar, për të mos harruar sundimin 20 vjeçar të të hajdutëve, e gjen me vend të harxhojë jashtë vullnetit të vet 110 milionë euro për të ngritur këtë përmendore. I paharruar qoftë kujtimi i tyre”.

Paratë për të ndërtuar një vepër të tillë vështirë se do të gjenden. Por edhe po nuk u ndërtua parlamenti, në llogaritë e kryeministrit, dy objektivat e parë janë lehtësisht të realizueshme. I pari është pa kosto për qeverinë. I dyti ka kosto lehtësisht të përballueshme. Për më tepër, me shembjen e Piramidës, ndoshta shqiptarët do të humbasin objektin simbol të vuajtjeve të tyre nën komunizëm dhe të vuajtjeve të tyre në kohën e skemave piramidale.

Piramidat e Egjiptit, ndonëse ngjajnë të kota nga pikëpamja praktike, besohet se kishin një rol të rëndësishëm ekonomik: duke punësuar një pjesë të konsiderueshme të popullatës, ato e shpëtonin tokën bujqësore nga ndarja në parcela të vogla, krijonin një sektor modern në ekonomi dhe lejonin specializimin e krahut të punës, duke rritur eficencën e rentabilitetin. Nejse, kjo nuk ka rëndësi për Shqipërinë. Këtu nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një sektor modern në ekonomi: bëhet fjalë për të ndërtuar një kult.

Sa për mbështetësit e shembjes së piramidës së faraonit të djeshëm dhe zëvendësimit të saj me një piramidë për faraonin e ri, ata ngjajnë shumë me priftërinjtë dhe skllevërit e faraonëve të Egjiptit të lashtë. Janë shumë të lumtur të ndjekin faraonin në skëterrë me shpresë se faraoni do t’u ndajë nga pak nga pasuritë që ka marrë me vete në varr.

2 comments:

Video Zeum said...

Përshëndetje! Ju keni një website interesante.

Anonymous said...

ore si shpjegohet qe te gjithe ata qe shkruajne kunder shembjes se piramides jane te lidhur me Topin ose me Shqipin? Thua te jete i vertete ai thashethemi per lidhjen me djemte e Enverit.