Sunday, September 11, 2011

Mirësevini në emisionin e parapëlqyer KPD seria e dytë

Gjergj Erebara
Gjysma e dytë e mandatit të dytë të qeverive duhet të ketë ndonjë lëndë alkimike misterioze që i bën gjërat tmerrësisht të ngjashme. Ka gjasa që të jenë përmasat e Shqipërisë, shumë të vogla për të mbajtur të gjithë hajdutët, numri i të cilëve pëson rritje dyshifrore gjatë kalimit nga mandati i parë, në atë të dytin.
Gati një dekadë më parë, socialistët u mblodhën në atë që quhej “Këshilli i Përgjithshëm Drejtues” ku në emër të luftës për pushtet mes Metës e Nanos nuk u la gjë pa thënë. Aktiviteti seksual dhe vjedhja publike u përmend me bollëk.
Muajtë e fundit një situatë e ngjashme duket se po përsëritet. Gazetat e Metës sulmojnë ministrin e Shëndetësisë ditë për ditë. Bashkë me akuzat për paaftësi, mungesë ilaccesh nëpër spitale, janë përfolur jo shumë qartë aktivitete seksuale të dyshimta. Nën sulm herë pas here është vënë edhe ministri i jashtëm. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, është sulmuar për një histori monopolesh, por këtë të fundin, sipas gazetës Koha Jonë, në fakt e sulmon Genc Pollo.
Gjatë KPD-së së parë, na u tha se Nokia do të merrte celularin e tretë në Shqipëri, një gënjeshtër pa limite kjo sepse Nokia prodhon celularë dhe jo rrjete celulare. Gjatë ditëve të fundit na u tha se një farë Cisco, e cila prodhon routers do të marrë rrjetin me fibra optike, gjë që në fakt ka gjasa të jetë një gënjeshtër po aq e trashë sa Nokia.
Si në KPD-në e parë, ashtu edhe në këtë të dytën, opozita ka një rol margjinal. Zorr se ka ndonjë gjë për të thënë.
Shteti dhe mafia në këtë fazë nuk janë më në luftë me njëri-tjetrin për shkak se janë afërsisht e njëjta gjë. Është e vështirë të gjesh ndonjë fije ndarëse mes politikanëve dhe trafikantëve të drogës.
Të dyja periudhat kanë edhe një fenomen tjetër të këndshëm: në të dyja rastet zyrtarëve të Brukselit u është çarë menderja me shqiptarët sa nuk duan t’i shohin me sy. Ministrja e atëhershme e integrimit zorr se mund të shkonte në Bruksel sepse nuk do të begenisej as nga zyrtarët më të ulët e kjo e sotmja nuk ka ndryshim. Fatos Nano në atë kohë bëri një mik të ngushtë në Liban, kryeministrin e atij vendi zotin Hariri. Në njoftimet për shtyp të asaj kohe, edhe emri i Haririt nuk jepej. Pak ditë më parë, Shqipërinë e vizitoi presidenti i Hondurasit, emri i të cilit qe shumë i vështirë për t’u mësuar nga gazetarët.

No comments: