Nga Gjergj Erebara
Dy-tri ngjarje të përmendura kalimthi nëpër media duket se po na ndryshojnë jetën. Dje, ndërsa shkoja në punë, një motorist me skafandër kaloi pranë në trotuar dhe për pak mendova të fshihesha diku sicc veprojnë në rast lufte njerëzit kur dëgjojnë krisma. Megjithëse është e njohur se plumbi është më i shpejtë se hedhja përtokë e njeriut më të shkathët, sërish instikti të thotë të hidhesh. Motoristi mund të ishte një njeri normal, pacifist etj., por duke pasur në mendje kronikën e një dite më parë për një kriminel që ndiqte me makinë një tjetër deri sa e qëlloi, pa pritur kuptova se vendi që jetojmë nuk është më aq i sigurtë.
Do një javë më parë, një shpërndarës picash u përplas nga një makinë luksoze dhe përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Kronikat e lajmeve thoshin se në fakt, makina e Shpresa Beçajt, gjykatëse e lartë, kishte shkaktuar një aksident spektakolar. Shpërndarësi i picave dhe fati i tij qe një element i dorës së dytë. Asgjë nuk u mësua më për të. Vdiq apo shpëtoi? Me se i jeton familja tani që qindarkat e mbledhura prej tij duke shpërndarë pica nuk dërgohen më?
Ca ditë më parë, një vajzë e zakonshme, vetëm 25 vjeç u godit nga plumbat që qenë nisur për dikë tjetër. Vdiq.
Akoma edhe më pak ditë më parë, një grua që po ecte në trotuar dhjetë metra larg parlamentit në bulevard, u godit nga një makinë luksoze dhe mbeti e vrarë. Edhe në këtë rast, për median, lajmi qe më shumë te fakti që një makinë luksoze e shkaktoi aksidentin “spektakolar” duke kapërcyer trotuarin më të gjerë në Shqipëri, duke shkatërruar kioskën e një hallexhiu që shet libra dhe duke përfunduar mbi një bunker të kohës së komunizmit. Edhe në këtë rast, viktima qe një element rastësor. Ajo mbeti pothuajse pa emër. Njësoj si në rastin e makinës së Shpresa Beçajt, e cila nuk kishte lidhje me aksidentin, por është personazh goxha i njohur nga video e Metës, edhe këtu, makina luksoze e dikujt qe më e rëndësishme se jeta e një njeriu. Mund të kishte qenë kushdo nga ne duke ecur në trotuar në atë moment fatkeq dhe sërish makina luksoze të rezultonte lajm më joshës. Çdokush prej nesh mund të përfundojë në rreshtin e fundit të një lajmi mbi një makinë luksoze që fluturon dhe që si pasojë e faktit që është makinë luksoze, shkaktoi vdekjen e rëndomtë të një njeriu të rëndomtë.
Kriminaliteti i shtuar i kohëve të fundit, nuk duket tërësisht rastësor. Siç thotë Cicero për Romën: “Është qyteti që krijon luks. Dhe nga luksi vjen, në mënyrë të pashmangshme, babëzia, nga babëzia ngre krye dhuna dhe nga dhuna shumëzohen të gjitha llojet e krimit dhe padrejtësive.”
Kjo nuk është për të krahasuar Tiranën me Romën, por për ilustruar atë se çfarë po ndodh me vendin tonë. Një pjesë e madhe e kriminalitetit që po na shfaqet sot me bomba, atentate, vrasje dhe... para së gjithash, me viktima njerëzish të zakonshëm, përbën në fakt një stad të ri në Shqipëri. Është stadi kur korrupsioni që filloi me mitmarrje, vijoi me mitmarrje masive, manipulime tenderësh, evazion fiskal, korruptim gjykatësish, privatizime e përvetësime, u kthye në sistem, ka arritur në pikën kur ka krijuar atë babëzi, kriminalitet e padrejtësi për të cilin fliste Cicero këtu e dymijë vjet të shkuara. Nuk është e nevojshme të presim shpërthimin e bombave, vdekjen e atyre njerëzve të panjohur rastësor apo atentatet të llojit të Perëndimit të Egër në zemër të Tiranës për të parë origjinën e të gjithë kësaj. Korrupsioni, i cili duket gjithkund në formë makinash të shtrenjta, në formë fodullëku zyrtarësh, na duket nëpër kolltuqet e televizioneve ku shumica e “elitës” artikulon fjalët bukur, po na kthehet në një kërcënim për jetën tonë dhe jetën e njerëzve tanë më të dashur. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Për sa kohë shqiptarët vijojnë të qëndrojnë pasiv përballë kësaj orgjie korruptimi, kriminaliteti do të vijojë të na e bëjë daljen nga shtëpia një sipërmarrje të rrezikshme. Nuk ka shpresë që politika të luftojë korrupsionin duke futur në burg vetveten, fjalën e ka populli.
No comments:
Post a Comment