Gjergj Erebara
Ahmet Zogu qe ai që qe, por pasardhësi i tij qe shumë herë më i tmerrshëm. Kjo bazë e dobët krahasimi po na shpie në disa ide të gabuara mbi standardet që një udhëheqës në Shqipëri duhet të plotësojë për t’u klasifikuar si një figurë e ndritur historike. Ky është një problem aktual për shkak të faktit që kryeministri i sotëm po fillon të mendojë se si do ta shohë historia kohën e tij, gjë që ka krijuar një angazhim shtetëror për të parë me më shumë pozitivitet atë periudhë historike nga fundi i Luftës së Parë Botërore deri në pushtimin Italian. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Ahmet Zogu, mbreti i fundit i vetëshpallur në Europë, mund të na kthehet si pika e referencës, ku pushtetarët e sotëm e ato të së ardhmes të marrim shembull e të frymëzohen. Në kushtet ku në 100 vitet e para të ekzistencës, Shqipëria ka njohur më shumë zi se sa lumturi, ky është një precedent shumë i rrezikshëm. Përmes mitizimit zyrtar të figurës së Ahmet Zogut ne rrezikojmë të legjitimojmë sundimin e injorantëve, pushtetarëve që rrinë me pistoletë në brez, që mbyllen në kullat e tyre të rrethuara nga roje, që përndiqen nga hijet e viktimave që kanë shkaktuar dhe që kanë më shumë shqetësim për sigurinë e tyre personale se sa mirëqenien e publikut të gjerë. Disa fakte janë shumë domethënëse nga jeta e Ahmet Zogut: Ai e privatizoi vendin për interes të pushtetit të vet. Shqipëria nuk qe një demokraci, termi zyrtar i përdorur qe: diktaturë e ndritur. Liria e fjalës me ligj mbaronte aty ku fillonte saraji i të parit të vendit. Mbreti me kushtetutë kishte fuqi absolute. Paudhësitë e llojit korrupsion, vjedhje shtetërore apo vrasje qenë një fenomen i zakonshëm. Mbreti, kur ishte njëkohësisht edhe president edhe kryeministër, ia shiti emetimin e monedhës kombëtare një banke italiane, (njësoj siç privatizuam ne bankat sot, por diç më keq, sepse sot emisioni i parasë mbetet monopol shtetëror). Në shumë kuptime, koha mes dy luftërave botërore është shumë e ngjashme me Shqipërinë e post-komunizmit. Megjithatë, gjatë kohës së Zogut, nqs mund të quhet kështu edhe në kohën e postkomunizmit, kishte një farë prirjeje për normalitet. Krahasuar kjo me periudhën kaotike, por gjithsesi, me elementë të fortë demokratikë dhe me parlament të mbushur me intelektualë 1920-1924, ngjan se mungesa e demokracisë dhe drejtësisë shoqërore qe një çmim i drejtë për t’u paguar për të mbajtur stabilitetin.
Buxheti i mbretit prej 500 mijë frangash ari në vit qe i barabartë ose i përafërt me buxhetin e bujqësisë. (T. Selenica, Shqipëria më 1937 vol.II). Kjo, pa përmendur këtu të ardhurat nga korrupsioni. Mbreti dhe shpura e tij kishin më shumë akses te buxheti i shtetit se sa 80 për qind e popullsisë që në atë kohë jetonin në fshat.
Shqipëria e ditëve tona nuk ka për objektiv thjeshtë stabilitetin. Me kushtetutën e vitit 1998, ëndrra jonë është shteti i së drejtës, demokratik e social. Me gjithë këto delikatesa të kushtetutës, shpërndarja të ardhurave kombëtare nuk është shumë i ndryshëm nga ajo e kohës së Zogut. Pothuajse i gjithë buxheti i shtetit grabitet në Tiranë e shpenzohet në një hapësirë prej pak qindra metrash në të dy krahët e bulevardit. Pjesa tjetër e vendit është një shkretëtirë.
I ashtuquajturi stabilitet që u vendos me Zogun si sundimtar absolut nën justifikimin se shqiptarët për nga lloji e kanë të huaj e të papranueshme lirinë, demokracinë e republikën, shkaktoi një bllokim të konkurrencës së lirë, gjë që u pasua me një katastrofë ekonomike që vijoi deri në ditët e fundit të sundimit të tij.
Sërish edhe në këtë pikë Shqipëria e sotme nuk ndryshon shumë: Paratë e shqiptarëve u bënë rrush e kumbulla gjatë viteve të shkuara, një e treta e vendit emigroi. Vendi po përjeton nivelin më të keq të qeverisjes në dy dekadat e fundit. Kryekomunarët janë kthyer në bejlerë që emërohen dhe e ruajnë postin e tyre me ymrin e sanxhakbejve të Tiranës. Këto ditë kur fshatra të tërë janë bllokuar nga dëbora, po mësojmë se kryekomunarët, ato që duhet të jenë përfaqësuesit e shtetit në zonat e thella, në fakt jetojnë në Tiranë dhe qeverisin me korrespondencë.
Megjithatë, qeveria e sotme po sheh gjithnjë e më shumë nga koha e Zogut me shpresën e legjitimimit të kaosit që ajo vetë ka prodhuar. Megjithëse për fatin tonë të keq, 100 vjetori i pavarësisë po na gjen pa asnjë shembull frymëzues në formën e udhëheqësit babaxhan, kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se një “mbret rrondokop” apo një “diktator qesharak” janë referencat e të mirës.
No comments:
Post a Comment