Thursday, April 5, 2012

Demografia, kohë e ndryshme, të njëjtat gënjeshtra

Gjergj Erebara
Studimet mbi demografinë, janë nga më të vështirat. Burrat me mjekër kryejnë llogari që zgjasin shpesh me dekada dhe në fund japin konkluzione relative. Por këto teknikalitete shkencore vështirë se mund të hyjnë në punë në Shqipëri, veçanërisht po të dëgjosh kryeministrin teksa flet pa patur asnjë studim në dorë, për normën e vdekshmërisë foshnjore, jetëgjatësinë mesatare të popullsisë apo vdekshmërinë e nënave në lindje.
Ja se çfarë na tha kryeministri:

“Shqipëria e sotme ka një mortalitet infantile një shifror. Një arritje historike kjo, për këtë komb e këtë shoqëri. Mortaliteti infantal që e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara është një rezultante e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social e kulturor të këtij vendi, por është gjithashtu dëshmi e një sistemi të kujdesit shëndetësor efikas”.


Sipas Berishës, ne kemi pasojat, ne dimë edhe shkaqet. Detajet, si e qysh, për të cilat bota e zhvilluar investon miliarda për t’i studiuar, nuk kanë shumë rëndësi për Berishën. Për të, shqetësimi kryesor është çfarë të thotë në televizor. Nuk ka rëndësi nëse i duhet të flasë për të drejtat e homoseksualëve apo për vdekshmërinë foshnjore. E rëndësishme është të thotë diçka.

Vendimet e djeshme të qeverisë psh, nuk kishin asnjë lidhje me fjalimin e kryeministrit. Nuk merret vesh nëse mbledhja e qeverisë është një institucion vendimmarrës, ku caktohen se çfarë duhet të bëhet e shpërndahen urdhra, apo është një konferencë për shtyp e kryeministrit. Nejse!

Që të kthehemi te lindshmëria e vdekshmëria, këto janë tregues shumë të komplikuar që shumë pak ekspertë mund t’i lexojnë. Që të dimë nëse jemi mirë apo keq me treguesin e vdekshmërisë foshnjore psh, na duhet të dëgjojmë ndonjë ekspert të regjur. Por të tillë, nuk është se kemi shumë. Ajo çfarë mund të lexojmë është një studim i UNICEF, i publikuar në faqen zyrtare.

“Shqipëria ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë foshnjore në europë, janë më shumë se tre herë më të larta se sa objektivi i BE-së,” thotë Unicef. Natyrisht, të varfrit, për të cilët kryeministri ka kohë që nuk flet, vdesin më shumë. “Norma e Vdekshmërisë Fëminore për 20 për qindëshin e shqiptarëve më të varfër, është 26 për mijë, ndërkohë që për 20 përqindëshin më të pasur, është 6 për mijë,” thotë gjithashtu UNICEF, në një dokument të vitit 2010, që është firmosur edhe nga dy ministra të qeverisë së Berishës, ai i shëndetësisë dhe ai i bujqësisë.

Sa për të informuar publikun e gjerë, norma e vdekshmërisë foshnjore është numri i fëmijëve të vdekur nën 1 vjeç për mijë lindje. Jo të gjitha vdekjet e fëmijëve janë si pasojë e prapambetjes së qeverisë, por UNICEF me ekspertët e vet vlerëson se një e treta e tyre, janë rrjedhojë e kequshqyerjes.
Të njëjtën gjë tregon edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sa i përket jetëgjatësisë dhe normës së vdekshmërisë bruto, këto dy tregues janë më të komplikuar për t’u analizuar, e normalisht, asnjë njeri serioz, nuk mund të nxitohet e të dalë në konkluzione.

Shqipëria, ka normë vdekshmërie bruto 5 për mijë. Kjo do të thotë se çdo vit, vdesin 5 vetë në çdo 1 mijë banorë. Italia psh, që është një vend i pasur, ka vdekshmëri bruto 9.93 për mijë banorë, Gjermania e ka 11.04, Franca, 12.72. Me logjikën e kryeministrit, që krahason vdekshmërinë e Shqipërisë me vendet e pasura, i bie që ne të jemi të lumtur, ndërsa gjermanët, italianët apo francezët, jo.

Por në anën tjetër, mund të themi se norma e vdekshmërisë bruto e Rripit të Gazës ka vdekshmëri edhe më të ulët se sa Shqipëria, 3.22 të vdekur për mijë banorë. Algjeria e ka 4.72 etj. Duket se diçka nuk shkon me këto statistika. Por në fakt, statistikat janë në rregull. Thjeshtë logjika që përdor kryeministri nuk vlen për asgjë. Rregulli i parë kur krahason vdekshmërinë bruto të dy popullatave, është që këto të dy popullata që të jenë të krahasueshme, duhet të kenë të njëjtën moshë. Një vend plot me pleq si Italia,  pavarësisht se është i pasur, nuk mund të ketë vdekshmëri më të ulët se sa një vend si Gaza. Për këtë arsye, norma e vdekshmërisë quhet “bruto” dmth që nuk merr parasysh detajet.

Por më shqetësuese se sa mali i interpretimeve statistikore të gënjeshtërta, në rastin e Berishës është mënyra e propagandimit. Modeli i tij i propagandës vjen drejtpërsëdrejti nga koha e komunizmit. Edhe në atë kohë, na mbushën me përralla mbi normat e vdekshmërisë foshnjore të para dhe pas luftës, përralla që bazoheshin në statistika të keqinterpretuara apo qëllimisht të falsifikuara. Dhe në vitet ’80, ndërsa shqiptarët po vdisnin për bukë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, propaganduesit vijonin të na ushqenin me statistika.
Kam frikë se e njëjta gjë po ndodh edhe sot. Kjo gjë do të vijojë të ndodhë për sa kohë qeveritarët i kemi njëkohësisht edhe politikanë, edhe shkrimtarë, edhe shkencëtarë, edhe statisticienë, edhe artistë. Në fakt, nuk i kemi të vlefshëm për asgjë.

No comments: