Përshtypje nga
debati zgjedhor për taksë të sheshtë, progresive apo me gungë
Gjergj Erebara
U bë tashmë muaj
që PD dhe PS janë angazhuar, a thua se bëhet fjalë për një çështje për jetë a
vdekje, në një debat plot zjarr mbi faktin nëse Shqipëria ka nevojë për një
taksim të sheshtë apo progresiv. Shprehjet e përdorura nga dy krahët politikë
kanë qenë apokaliptikë. Berisha shpesh përsërit se taksa progresive do të jetë
fundi i botës. Rama pretendon se në fakt fundi i botës ka ardhur dhe se ai do të
na shpëtojë përmes taksimit progresiv. Berisha përmend një udhëheqës komunist të
45-ës, Marksin etj, si kampionë të taksës progresive. Rama përmend Obamën,
Merkelin dhe shumicën dërrmuese të vendeve të botës që përdorin taksim
progresiv.
“Taksa e sheshtë
ka mbyllur 52 mijë vende pune[i],”
deklaron PS.
“Taksa progresive
është taksa shkatërrimtare[ii],”
deklaron Berisha.
Në thelb, që të
dyja palët po përdorin argumentin e taksës sheshtë apo progresive për të mos
debatuar për problemet reale të vendit, deficitin dhe borxhin publik në rritje
dhe tatimin tejet të ulët të fitimit për korporatat. Në thelb, ky është një debat
krejtësisht bosh. Shqiptarëve as nuk u ka hyrë dhe as nuk u ka dalë gjë nga
xhepi me vendosjen e taksës së sheshtë. Ky është një fakt që as Rama dhe as
Berisha nuk pëlqejnë ta përmendin. Shqiptarëve nuk do t’u ndodhë pothuajse asgjë
në rast se PS vendos skemën e saj të taksimit progresiv.
Arsyeja se pse ky
është një debat bosh dhe shumë larg interesave realë të shqiptarëve, është
fakti se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të papunë, pensionistë, emigrantë,
të vetëpunësuar në bujqësi, shqiptarë që mashtrojnë në deklarimin e pagës për të
fshehur taksa, (deklarojnë pagë minimale) dhe të punësuar në shtet. Për shumicën
dërrmuese të shqiptarëve, ndryshimi i sistemit ka rëndësi zero. Zero e pati rëndësinë
në vitin 2007, kur u vendos sistemi aktual. Ka shumë gjasa që e njëjta gjë do të
ndodhë nëse kthehemi te sistemi i vjetër.
Një përrallë nga viti 2007
Berishës i qe
mbushur mendja aty nga gjysma e mandatit të parë, pasi qe mërzitur e nuk kishte
çfarë të bënte deri sa të vinin zgjedhjet pasardhëse, se një koncept novator
vendos një normë takse të barabartë për të gjithë pavarësisht nga niveli i të
ardhurave. Është një politikë e djathtë, i thanë. Problemi është se të vendosësh
një taksë, të barabartë apo të pabarabartë, duhet gjithsesi të kesh kë të
taksosh. Dhe Shqipëria nuk qe, (dhe vijon të mos jetë) një vend ku ke ku të
taksosh mes rrogëtarëve. Në atë kohë Shqipëria kishte pagë mesatare të deklaruar prej 220 dollarësh në
muaj[iii].
Sido që ta vije formën e taksimit, vështirë se të bënte ndonjë diferencë. Njësoj sikur të thuash se dua të taksoj lypësat, apo cigareshitësit. Mundesh, por nuk është se nxjerr shumë para!
Qe pastaj fakti që një e treta e atyre që marrin rrogë në Shqipëri janë punonjës shteti. Në rast se zbatohej taksimi i sheshtë teorik, siç qe propozuar, këtyre 170 mijë shqiptarëve do t’u ulej rroga me 10 për qind.
Qe pastaj fakti që një e treta e atyre që marrin rrogë në Shqipëri janë punonjës shteti. Në rast se zbatohej taksimi i sheshtë teorik, siç qe propozuar, këtyre 170 mijë shqiptarëve do t’u ulej rroga me 10 për qind.
Por kur i thotë gjërat
Berisha, nuk ka burrë nëne t’i dalë përpara e t’i thotë se e ka gabim, ose,
akshe-akshe, ia ka fut pordhës kot.
Rrjedhimisht, me
t’u thënë se Shqipëria duhej të bëhej shtet me taksë të sheshtë, aparatçikët i
hynë punës që Shqipëria ta kishte një taksë të tillë. Buxhetorëve, pra një të tretës
së të punësuarve, iu kompensua nga buxheti i shtetit humbja që mund të pësonin
nga vendosja e taksës magjike. Në fund të muajit, atyre iu rrit rroga me 10 për
qind dhe kjo rritje rroge iu mbajt si tatim mbi të ardhurat personale. Megjithë
zhurmën mediatike, jam i bindur se shumica e rrogëtarëve të shtetit as nuk e ka
mësuar kurrë se iu rrit rroga dhe iu rritën taksat njëkohësisht. Në fund të
muajit mori po të njëjtën rrogë në xhep.
Për sektorin
privat, skema qe më e bujshme. Nuk është ndonjë sekret se pothuajse të gjitha
rrogat e sektorit privat deklarohen më pak se sa realiteti. Kështu ka qenë gjithmonë.
Rrjedhimisht Ministria Financave deklaroi se taksat do të paguheshin mbi disa
rroga referencë. Prodhoi dokumente Excel me mijëra rreshta ku sipas mendjes së
aparatçikëve, duhej të qe paga në çdo sektor, çdo profesion e çdo gradë të
sektorit privat. Një kamerieri përshembull, iu përcaktua paga 17 mijë lekë.
Paga e tij reale qe 7 mijë lekë. Pjesën tjetër të të ardhurave e siguronte nga
bakshishet. Duke dëgjuar lajmet në televizor, kamerieri mendoi se ndoshta
qeveria do të detyronte pronarin e tij t’i jepte një pagë më të lartë. Por
pronari i tha se duhej të shkonte në bankë, të merrte 17 mijë lekë pagë dhe t’ia
kthente 10 mijë lekë. Në fakt, qeveria pati gjetur një mënyrë për të rritur
taksat. Në fund, dardha e ka bishtin prapa. Një kamerier me pagë 7 mijë lekë në
muaj, u detyrua të përdorë shërbimet e një banke dhe të paguajë komisione te
banka.
Po në të njëjtën
kohë kur kamerieri përballej me faktin se rroga e tij nuk qe rritur, por taksat
që pronari do të paguante qenë rritur, një gazetare që punonte për një agjenci
të huaj lajmesh i raporton redaktorit të vet se qeveria shqiptare ka miratuar
një listë me paga referencë për të gjithë ekonominë. “Mos je e çmendur?” iu përgjigj
redaktori. “Asnjë vend nuk mund të përcaktojë nivelin e pagave të sektorit
privat!” Në fakt, gazetarja i kishte trutë në vend. I çmenduri gjendej gjetkë!
Por pati edhe të fituar
Taksa e sheshtë
nuk është se nuk pati asnjë efekt. Shumë korporata të huaja monopoliste apo
oligopoliste fërkuan duart. Bilancet e tyre janë rëndshëm të manipuluara “brenda
hapësirave ligjore” përmes transferimit të fitimit në shpenzime të paqena për kompanitë
nëna. Por arritën të përgjysmojnë tatimin mbi fitimet e pakta të deklaruara dhe
në fakt, qenë përfitueset kryesore[iv].
Këto fitime me të
drejtë duhet të taksohen më shumë. Qeveria dhe vetë kryeministri e kanë kuptuar
këtë gjë[v]. Në
vitin 2011, deklaroi se do të taksojë më shumë korporatat e huaja në sektorin e
telekomunikacionit dhe bankave. Por një muaj më vonë, vetë Berisha deklaroi se ndryshoi
mendim[vi].
Disa thonë se qe ‘sedra’
pra frika se mos po pranonte një gabim të kryer në të shkuarën, ajo që e bëri të
ndryshojë mendim. Por ka që thonë se në fakt tërheqja u shkaktua nga presioni
nga korporatat.
Nga ana tjetër, për
të kompensuar uljen e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, qeveria rriti akcizën
e cigareve, akcizën e naftës dhe taksat mbi makinat. Shkurt, taksa e sheshtë qe
një sistem në pasurimin e aksionerëve grekë, austriakë e anglezë të ekonomisë
shqiptare dhe kompensimi i humbjeve përmes taksimit të shtresës së mesme.
Rikthim fals te taksa progresive
Shqiptarët që kanë
rrogë deri në 20 mijë lekë paguajnë 1 mijë lekë tatim mbi të ardhurat
personale. Me sistemin e vjetër, paguanin 440 lekë[vii].
Duke përjashtuar të punësuarit e sektorit publik, një rikthim te sistemi i vjetër
do të ketë një përfitim minimal për të gjithë shqiptarët prej pak miliona
eurosh në vit. Nga ana tjetër, korporatat e huaja, të cilat kanë përfituar dhjetëra
miliona euro nga ulja e tatimit mbi fitimin, do të vijojnë t’i shijojnë këto fitime,
ndërkohë që shqiptarëve u ulen taksat me një vend dhe u rriten me një vend tjetër.
Vështirë se mund
të ketë një opozitë më të paaftë në hartimin e politikave reale dhe konkrete,
qofshin këto edhe politika të fryra dhe jorealiste, se sa kjo e jona. Opozita
duket e vendosur të bëjë zhurmë pa thënë asgjë, pa cenuar interesin e askujt,
pa dhënë asnjë premtim. Ka do lobues biznesi që sakaq mburren nëpër Tiranë duke
thënë se janë pikërisht ata që e kanë bindur opozitën të mos e rrisë tatimin
mbi fitimin e korporatave, por ta kufizojë retorikën e vet te tatimi mbi të
ardhurat personale.
Për qeverinë, përqendrimi
te një debat i tillë ka gjithashtu leverdi. Ajo nuk ka pse të japë përgjigje për
borxhet e stërmëdha ku po e zhyt vendin dhe as për një qerthull kompanish të
lidhura me kryeministrin që shmangin dhjetëramilionë euro taksa. Kryeministri
nuk ka pse të mos merret me taksën e sheshtë, sepse përndryshe duhet të flasë për
grabitjet e pafundme që i bën vendit.
Në këto kushte,
nuk duhet të na habisë se si sistemi i tatimit mbi të ardhurat personale, të
marrë kaq peshë dhe të debatohet me kaq zjarr. Një temë e padëmshme, tërësisht
e pakuptueshme dhe që mund t’i polarizojë shqiptarët në vijat ndarëse majtas
apo djathtas, komunist apo antikomunist dhe në fund, të mos ndryshojë asgjë.
[i]
http://www.ps.al/te-reja/taksa-e-sheshte-ka-shtuar-papunesine-dhe-korrupsionin-20-02-2013/
[ii]
http://km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=news&lid=17881
[iii]
Burimi: Instituti i Statistikave: http://www.instat.gov.al/al/figures/statistical-databases/Present.aspx?rxid=9136ec66-8102-418b-b255-083f5db696ea.
Aksesuar më 11 mars 2013
[iv]
http://www.monitor.al/10-kompanite-me-fitimin-me-te-madh-1804/
No comments:
Post a Comment