Manuali i protestuesit
Përmbledhje e përgjithshme
Gjergj Erebara
Parrulla nga protesta e datës 2 mars 2013 në sheshin Skënderbej |
Ky është një
manual i shkurtër që synon t’ju mësojë se si të organizoni në mënyrën e duhur protestën,
si të mobilizoni njerëzit, si të menaxhoni situatën për ta çuar atë drejt
synimit final.
1.
Protesta është mjet, jo qëllim. Për shkak se protestat lindin nga zemërimi
i momentit, shumë shpesh ato kthehen në qëllim në vetvete, rrjedhimisht nuk e
zgjidhin problemin. Konceptojini protestat si një mjet. Organizojini ato në përputhje
me synimin final, zgjidhjen e problemit.
2.
Çdo protestë ka nevojë për të udhëheqës. Nuk mund të ketë protestë pa një lider, i
cili duhet të ketë aftësinë të prezantojë shkaqet që kanë sjellë organizimin e
protestës dhe, më e rëndësishmja, duhet të ketë aftësinë për të prezantuar dhe
arritur synimet finale. Jepini njerëzve pjesëmarrës në protestë një shpresë.
Shpresa është zgjidhja e problemit dhe jo thjeshtë shprehja e zemërimit përmes
protestës.
3.
Çdo protestë ka nevojë për përgatitje
paraprake. Mos reagoni
kurrë menjëherë ndaj një problemi. Përgatituni
paraprakisht, merrni kohën e nevojshme për këtë punë. Dikush mund të thotë se
duhet të kapet zemërimi i çastit, kur njerëzit janë të revoltuar, por në një
protestë të tillë, rezultati i lihet rastësisë. Një strateg i mirë nuk duhet
t’ia lërë gjërat rastësisë.
4.
Protesta duhet të jetë si një reklamë e
bukur. Ajo duhet të përmbajë
ngjyra, mesazh të komunikuar, batuta dhe interpretim gati artistik. Shikoni
reklamat e korporatave për të parë se si duhet të prezantohet një thirrje për
protestë.
5.
Identifiko një armik. Çdo protestë shkaktohet nga një problem
dhe çdo problem shkaktohet nga një individ. Identifikoje jo si institucion, por
si individ. Mos thuaj “gjykata”, thuaj ky gjykatës a gjykatëse.
6.
Besoji komunikimit të drejtpërdrejtë. Me përhapjen e
internetit, disa kanë filluar të besojnë se mund të mjaftojë një mesazh i
qarkulluar në facebook. Nuk është kështu. Njerëzit duhet të kontaktohen drejtpërsëdrejti.
Shpërndani fletëpalosje, trakte. Komunikoni ballë për ballë dhe shpjegojani
situatën, arsyet e protestës dhe më e rëndësishmja, qëllimin final.
7.
Përballuni dhe mëshironi. Duhet të përballeni me armikun e identifikuar
si përgjegjës për problemin, por mos harroni kurrë se synimi final është hapja
e bisedimeve dhe zgjidhja e problemit. Armiku, kur është një person publik,
duhet të trajtohet si fëmijë. T’i lihet një rrugë tërheqjeje me dinjitet, përndryshe
do të jetë i gatshëm të luftojë deri në vdekje. Vetëm në rastin kur keni për
synim eliminimin tërësor të armikut, atëhere mund të mos i lini rrugë tërheqjeje,
por në këtë rast, shanset për dështim shtohen.
8.
Mbani larg politikanët. Në shumë raste, protestat në Shqipëri tërheqin
vëmendjen e politikanëve, veçanërisht atyre të opozitës, të cilët bëhen menjëherë
udhëheqës. Problemi është se politikanët nuk kanë për synim që të zgjidhin
halle. Biznesi i tyre është që të ketë probleme. Nëse nuk keni drita dhe një
politikan dëshiron t’ju udhëheqë në protestë, kini parasysh se politikanit i
intereson pikërisht që ju të mbeteni pa drita, sepse po të mos ketë halle, nuk
do të ketë as politikanë. Angazhimi i një politikani, megjithëse këta të fundit
kanë akses në media dhe mund të bëjnë zhurmë, më shumë do t’ju dëmtojë se sa do
të ndihmojë qëllimin tuaj.
9.
Vlerësoni përmasat e problemit. Njerëzit dalin në protestë praktikisht për
tri arsye: a) është interesi i tyre i drejtpërdrejtë në lojë; b) solidarizohen
me popullatën e prekur nga problemi; c) kurreshtja, ose njerëzit që dalin në
protestë për qejf, ose për të shtyrë kohën. Shqipëria e sotme përbëhet nga njerëz
që kanë shumë halle për vete dhe shumë shpesh, edhe vetë të prekurit nga një
problem, refuzojnë të dalin në protestë. Frika është e lartë për shkak të peshës
së rëndë të politikës në jetën e gjithësecilit. Vlerësimi i përmasave të një
problemi si dhe numrit të njerëzve që preken nga ai problem apo rëndesa që u ka
rënë mbi supe, ju shërben për të kuptuar se sa mund të shpresoni për angazhim
publik.
10.
Krijoni një argument të bazuar në fakte. Bota e sotme
konsiderohet nga disa si një botë ku sundon relativizmi. Çdo gjë konsiderohet
relativisht e mirë ose e keqe. Fryma e protestës kërkon të kundërtën e kësaj, kërkon
absolutizëm. Për të mbërritur te e vërteta absolute, duhet të organizohet një
argument, i cili duhet të bazohet në kërkim të detajuar mbi problemin. Në fund,
argumenti duhet të thjeshtëzohet në mënyrë që të përshtatet për publikun e gjerë.
11.
Ekzagjeroni, por me masë. Në rast se protesta bëhet kundër shkatërrimit
të një ndërtese historike, atëhere mos thoni thjeshtë se një ndërtesë e vjetër është
e mirë. Thoni se ajo ndërtesë është identiteti i qytetit dhe se me shkatërrimin
e saj qyteti po mbetet pa ditëlindje dhe pa emër.
12.
Përdorni
simbolikë. Nëse dëshironki të sulmoni një kundërshtar, mund të përdorni
fjalë të drejtpërdrejta ose simbole. Psh, nëse protesta është kundër
korrupsionit, mos i thoni thjeshtë hajdut të denoncuarit, pikturoni një derr
dhe vendosni emrin e tij sipër.
13.
Zgjidhni metodën më të përshtatshme të
protestës. Format e
shprehjes së protestës janë të shumëllojshme dhe dalja në rrugë me pankarta ose
me fjalime është vetëm një prej tyre. Në shumë raste, një gjë e tillë nuk është
e mundur. Njerëzit nuk duan të identifikohen si pjesëmarrës në një protestë apo
kanë frikë. Ka raste kur njeriu ndaj të cilit protestohet, do të ketë marrëdhënie
me protestuesit edhe pas protestës. Kështu, nëse një dekan merr një vendim të dëmshëm
për studentët, protesta ndaj tij sipas të gjitha gjasave nuk do ta shkarkojë
nga posti ndërsa studentët do të përballen me të edhe për shumë vite. Në këtë
rast, protesta e fshehtë mund të ketë efekt më të madh se sa protesta e hapur.
Prodhoni një trakt dhe shpërndajeni nëpër shkollë, shkruani fshehtas parrulla nëpër
mure. Këto forma protestash ndoshta do ta shtyjnë dekanin të mendohet dy herë
për vendimin e tij.
14.
Sindikalizmi i fshehtë. Sindikalizmi nëpër kompanitë e ndryshme
shqiptare është një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme në Shqipërinë e
sotme. Për shkak të papunësisë së lartë, një grevë e hapur kundër punëdhënësit
mund të përfundojë menjëherë me pushimin nga puna të të gjithë grevistëve. Lehtësia
e zgjidhjes në këtë mënyrë vjen nga fakti se në Shqipëri ka shumë të papunë dhe
punëmarrësit nuk kanë fuqi negociuese, siç kanë në vendet e zhvilluara. Kjo nuk
mund t’i pengojë punonjësit të mbrojnë të drejtat e tyre dhe mund ta bëjnë një
gjë të tillë fshehtazi, pa rënë në sy të punëdhënësit dhe pa rrezikuar. Një
metodë është letra anonime, një tjetër, ngadalësimi i qëllimshëm i punës pa u
vënë re. Në entet shtetërore mund të ekspozohet korrupsioni, në entet private
mund të ekspozohet evazioni fiskal.
15.
Bllokimi i rrugëve është kundërprodhues. Shumë njerëz, për shkak të vështirësive që
kanë për të tërhequr vëmendjen te halli/protesta e tyre, tentojnë të bllokojnë rrugët.
Në këtë rast shpresojnë se zëri i tyre do të dëgjohet domodsoshmërisht. Ka shumë
arsye për të besuar se një teknikë e tillë më shumë dëmton se sa bën mirë. Njerëzit
nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në protestë duke bllokuar rrugën. Duhen
bindur. Bllokimi i rrugës i jep një argument kundërshtarit për ta injoruar
protestën, duke e hequr vëmendjen nga problemi.
Shënim: Këtë shkrim mund ta kopjoni dhe shpërndani pa të drejtë autori. Nëse vendosni linkun e shkrimit, atëhere faleminderit!
Përmirësime apo shtesa të këtij shkrimi do të bëhen herë pas here.
No comments:
Post a Comment