Gjergj Erebara
Hugo Çavez, duhet
të ketë qeshur fort po ta ketë marrë vesh atje ku është se - vdekja dhe trashëgimia
e tij - ka trazuar shpirtrat e shumë njerëzve, mes të cilëve edhe shumë
shqiptarë që i hynë me zjarr debatit nëse qe një burrë i mirë apo burrë i keq.
Disa u ngritën që
herët në mëngjes për të thënë se krahasimi i Çavezit me Berishën është gabim në
thelb, se ai ishte një revolucionar i madh, një njeri që përdori paratë e naftës
për të ndihmuar të varfrit, etj.
Disa thanë se
duhet me u ngushëlluar e majta ekstreme shqiptare. Nëpër forume nxituan të thonë:
ngushëllime komunistëve dhe Edi Ramës, etj.
Një nga komentatorët
anonimë nuk përtoi të thotë se idealet e tij për të ndihmuar të varfrit qenë të
mira, por rezultuan të dështuara në praktikë siç ndodhi edhe me komunizmin.
Për një popull të
lodhur nga padrejtësitë dhe pabesitë e ekonomisë së tregut dhe sundimit përmes
fuqisë financiare, është normale që një pjesë e shqiptarëve t’i lezetonte ideja
e shpronësimit të korporatave të huaja, të cilat, në shumicë në rastin e Shqipërisë
e kanë bërë hak.
Por edhe ca më
shumë shtet social, ku shteti bëhet bamirës dhe ndihmon të varfrit nuk do të na
bënte keq.
Është shumë e çuditshme
se si një ngjarje kaq e largët mund të ngjallë debate, ku palët, në fund të
fundit, nuk dalin nga llogorja banale e të majtës dhe të djathtës. NQS ai ishte
diktator, siç mund të argumentojnë me të drejtë “të djathtët” e forumeve
online, edhe për të majtët duhet të jetë po kaq i keq, sepse nuk ka se si të
besosh se një diktator i majtë është i mirë ndërsa një i djathtë, jo!
Dhe nëse qe një bamirës
i madh që uli pabarazinë (dhe me të vërtetë e uli ndjeshëm), kjo nuk ka
kurrsesi se pse të preki të djathtët. Fundi i fundit, mirëqenia është qëllimi final
i të dy ideologjive.
Jo, më shqetësuese
është lehtësia me të cilën shqiptarët japin opinione edhe për ngjarje që kanë
ndodhur mijëra kilometra larg dhe dalin në konkluzione nëse një politikë e
caktuar, si shtetëzimi i supermarketeve pasi janë akuzuar për abuzime me çmimet,
është një gjë e mirë apo e keqe.
Nuk është e
mundur të japësh opinion mbi Çavezin duke jetuar në anën tjetër të botës. Por
ajo që dihet, është që ai qëndroi 12 vjet në pushtet dhe pati në plan të qëndronte
deri sa vdekja ta ndante nga karrigia e tij. Në fakt udhëheqësit më mendjendritur
të historisë së njerëzimit kanë ditur të japin dorëheqjen, a të tërhiqen nga
pushteti. Shumë pak nga ato që kanë vdekur në karrige mbahen mend për mirë.
Është shumë e vështirë
të dallosh nëse ai i ndihmoi të varfrit për bamirësi, apo për të ruajtur
pushtetin e vet. Kur dëshiron të mbash pushtetin përgjithmonë, nuk është se ke
shumë gjëra për të bërë veçse për të krijuar një diktaturë. Dhe diktaturat
bazohen te sundimi përmes dhunës dhe sundimit të frikës. Veçse për të arritur të
bindësh njerëzit se pasi po vret një pjesë të tyre, po bën sërish një gjë të
mirë, nuk ke se si të veprosh përveç justifikimit me ndonjë ideologji të fortë,
fetare apo “për të mirën e përbashkët”.
Ndryshe nga shumë
satrapë në vjetër e të rinj, të cilët rrinë në pushtet sepse askush nuk ka
vendosur kufizime më parë, Çavezi e kishte një kufizim të tillë. Ai e hoqi
limitin. Para tij, presidentët në këtë vend patën qëndruar për pesë vjet. Nuk e
ndryshoi, fjala vjen për ta bërë dhjetë vjet, e hoqi për të qërndruar përgjithmonë.
Në këtë pikë, majtistët nuk kanë pse të ankohen për krahasimin e Çavezit me
Berishën. I vetmi dallim mes tyre është që Çavezi kishte naftë. Berisha nuk ka.
Dhe shkalla e populizmit ekonomik që i lejohet Berishës është shumë e kufizuar
në krahasim me mundësitë e Çavezit.
No comments:
Post a Comment