Wednesday, June 26, 2013

NJË APEL RILINDJES!

"The definition of insanity is doing the same thing over and over again and expecting a different result."
Albert Einstein

"Përkufizimi i çmendurisë është të bësh të njëjtën gjë sërish dhe sërish dhe të presësh rezultate të ndryshme". 
Albert Ajnshtajni


Ervin Qafmolla
Me bindjen se Shqipëria e kishte të domosdoshëm një rotacion politik, sot i kërkohet koalicionit të “Rilindjes” që të jetë në lartësinë e etiketës që mban. Me ndërrimin e duarve që mbajnë pushtetin, ndryshojnë edhe të punësuarit në administratë publike. Kur Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005, zëvendësoi në mënyrë brutale dhe pa mëshirë, shumë nëpunës të kualifikuar me banditë dhe analfabetë funksionalë. Të afërm e miq të mi, njerëz të aftë e të ndershëm, humbën vendin e punës. Sigurisht që në këtë gjëmë u këputën edhe koka të panumërta socialistësh që nuk i meritonin postet publike që mbanin.

Sot po vjen sërish ai çast kur rotacioni politik do të pasqyrohet edhe në rotacionin e administratës publike. Të tjerë njerëz që i respektoj pa masë po shkojnë drejt të njëjtit fat. Por po sot, është ai moment që do të testojë sinqeritetin dhe vërtetësinë e “deklaratave rilindëse”, sipas standardit të të cilave, profesionistët e ndershëm, ata që kanë punuar me vetëmohim në një administratë thellësisht të korruptuar dhe inkompetente, duke u mbijetuar me vështirësi presioneve të brendshme, të mos shkarkohen për t’u zëvendësuar nga militantë të paaftë dhe hajdutë që grabitin publiken për hesap të partive. Sepse sikundër ka thënë edhe kreu i PS dhe (sipas gjasave) Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, “asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar”.

Sot ju keni shansin e parë të vërtetoni se jeni të ndryshëm nga ata që hapin zjarr mbi turmat dhe lënë qytetarët e tyre në skamje. Sot ju keni mundësinë të dëshmoni se nuk jeni edhe ju banditë e të pashpirt. Sot, ju duhet të tregoni aftësinë për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të dhënë shembullin e parë si fitimtarë të një rezultati historik, se ju nuk jeni si ata. Sot duhet medoemos të vërtetoni se jeni të majtë dhe se do t’i bindeni ligjësive që përfaqësojnë vullnetin tonë të përbashkët për një Shqipëri më të mirë dhe përfaqësuese. Sot ju keni mundësinë dhe detyrën për të ndërprerë lidhjen e paskrupullt ndërmjet shumicës parlamentare dhe bukës së gojës së shtetasve tuaj.

Sot ju duhet të tregoni me vepra se në vend që të hidhni gurin e parë, do të përpiqeni të vendosni tullën e parë në ngrehinën e shumëpremtuar të meritokracisë. Sot është testi juaj i parë, për të kuptuar nëse jeni sadopak të vërtetë në sloganet e fjalimet me të cilat na keni bombarduar apo nëse jeni plehra si ata që u gremisën në minorancën turpëruese të përfaqësimit parlamentar. Pastrojeni administratë nga mizëria e llumit që e ka pushtuar por mos shkarkoni të aftët e të ndershmit. Mos bëni si Berisha. Topi është i juaji, porta po e juaja. Por ne nuk do harrojmë e as do mbyllim njërin sy!

No comments: