Thursday, January 8, 2009

Këto të cmendur duhet të ndalen sa më parë

Këto të cmendur duhet të ndalen sa më parë

Politika shqiptare na bëri të qartë gjatë dy ditëve të fundit se të drejtat elementare të njeriut, si e drejta e lëvizjes, e drejta për të poseduar paratë e tua apo të drejtat që rrjedhin nga kontratat e punës, janë tërësisht të pavlefshme, në rast se qytetarëve të këtij vendi nuk u rruhet të marrin një kartë identiteti, e cila nuk u hyn në punë për asgjë shumicës dërrmuese të tyre, por i hyn në punë qeverisë dhe opozitës.
Pas kërcënimeve të kryeministrit se pensionistëve nuk do t'u jepen pensionet pa kartë identiteti, zëvendësministri i brendshëm Ferdinand Poni detajoi kërcënimet, të cilat shkelin një pafundësi të drejtash ligjore të qytetarëve të këtij vendi. Sipas Ponit, emigrantët nuk do të lejohet të largohen nga vendi (një kërcënim makabër që na kthen në kohën e komunizmit ku largimi nga Shqipëria qe tradhëti); punonjësit buxhetor nuk do të marrin pagat (gjë që shkel kontratën e punës mes shtetit dhe punëmarrësve, të cilët paguhen për punën që bëjnë dhe jo për të votuar); Pensionistët nuk do të lejohet të marrin pensionin, (kjo është njësoj si t'i ndalosh qytetarit të marri paratë e veta në bankë, sepse pensionet nuk janë lëmoshë që shteti ia jep qytetarëve, por janë kursimet e detyrueshme që qytetarët tërheqin në pleqëri).
Opozita deklaroi dje se “këto masa nuk janë mjaftueshmërisht të ashpra”.
Të gjitha këto, ndodhin për shkak se partitë politike, njëra në qeveri dhe tjetra në opozitë, kanë dorë në rast zgjedhjesh. Por sipas tyre, janë të gjithë shqiptarët fajtorë, aq sa atyre do t'u ndalohet të udhëtojnë jashtë vendit, të mos marrin pagën për të cilën kanë punuar gjithë muajin apo të mos marrin pensionin për të cilin kanë punuar gjithë vitin.

1 comment:

Francis said...

Lajmeroini te http://laj.me/ keto shkrime qe te arrini me shume lexues. Do ishte vertete me vlere :)