Friday, June 28, 2013

Fjalorth i vogël i politikës shqiptare 1991-2013

Rruzhdije – Simbol i mbushjes së kutive të votimit nga komisionerët e qendrave të votimit, të cilët, ndonëse mund t’i përkasin partive të ndryshme, korruptohen sëbashku nga një forcë politike e caktuar. Mbushja e kutive me votat e shqiptarëve që ditën e zgjedhjeve gjendeshin jashtë vendit, ndodhi masivisht më 2009 dhe 2013, kur u shënua edhe rritja më galopante e pjesëmarrjes së shqiptarëve në votime. E mori emrin nga fshati Rruzhdije në qarkun e Fierit, ku një grup komisionerësh zgjedhorë u kapën duke mbushur kutitë e votimit, gjë që vlerësohet se i dha një mandat shtesë Partisë Demokratike në vitin 2009.
Dushk – sistemi i. E mori emrin nga fshati Dushk i Lushnjës dhe simbolizon përdorimin e një numri të vogël votash për të prodhuar një numër të lartë deputetësh. Vlerësohet se një seri analizash nga Apollon Baçe në gazetën Dita e formëzoi këtë shprehje.
Rrënjët e sistemit të Dushkut duhet të kërkohen në zgjedhjet e vitit 1996, kur maxhoranca e qeverisë së Partisë Demokratike ndryshoi kodin zgjedhor duke ndarë votën për kandidatin nga vota për partinë politike. Rrjedhimisht, PD arriti të marrë në zgjedhjet e 22 majit 1996 60 për qind të votave dhe 87 për qind të parlamentit. Kjo formë e deformimit të sistemit të zgjedhjeve u menaxhua deri në detaje nga Partia Socialiste në vitin 2001, ku përmes zbrazjes së votave për partitë te tre aleatë të saj të vegjël arriti të marrë 11 deputetë ekstra në koalicionin qeverisës.
Parti Taksi – Një shprehje që  atribuohet ish-kryetarit socialist dhe ish-kryeministrit Fatos Nano për të karakterizuar partitë e vogla të spektrit të majtë, pasi Partia Socialiste refuzoji të hyjë në aleancë parazgjedhore me Partinë SocialDemokrate, Partinë Aleanca Demokratike dhe Partinë Agrare para zgjedhjeve të vitit 2001. Parti Taksi qe në kuptimin që është një mjet shërbimi ku mund të hysh ose të dalësh sa herë që të duash.
Partitë Taksi kanë shërbyer në politikën shqiptare për dy qëllime kryesore: e para, për të zbrazur votat e proporcionalit me synimin për të marrë më shumë deputetë me më pak vota dhe e dyta, për të mbuluar segmente të vogla të padëshrueshme por të nevojshme të elektoratit, si ish-pronarët, ish- të përndjekurit, komunistët fanatikë etj. Në këto raste, votat e këtyre segmenteve të elektoratit zbrazeshin te partitë e vogla, të cilat funksiononin si agjentë të rremë të partive të mëdha.
Yes but – Është një shprehje për të karakterizuar qëndrimin e vëzhguesve ndërkombëtarë ndaj parregullsive zgjedhore, në rast se pyeteshin për rastet flagrante të zgjedhjeve. Yes But do të thotë se ndërkombëtarët i dallojnë manipulimet zgjedhore por e shohin si shumë të bezdisshme të merren me to.
Hapja e kutive – Një kërkesë e kahershme e partive që dalin humbëse në zgjedhje dhe që pretendojnë (shumë shpesh me të drejtë) se u janë vjedhur votat gjatë procesit të numërimit. Megjithë kërkesat e shumta, një proces i tillë nuk është realizuar kurrë. Partia Socialiste organizoi edhe një grevë urie në mbështetje të kërkesës për të hapur kutitë e zgjedhjeve të vitit 2009, por pa sukses.
Hartë e sajuar – Një metodë e menaxhimit të zonave zgjedhore me synimin për të minimizuar peshën e votave të kundërshtarit dhe për të maksimizuar peshën e votave të një partie të caktuar. U kthye në shqetësim veçanërisht në vitin 2001, kur Partia Socialiste kreu një hartë elektorale të tillë ku me 40 për qind të votave popullore, arriti të marrë 50 për qind të mandateve për deputet.
Në vitin 2005, në një situatë të çuditshme, Partia Demokratike arriti të krijojë një hartë që i shkonte për leverdi asaj dhe që qe pjesë e kompromisit politik të vitit 2003, ku praktikisht Partia Socialiste hoqi dorë nga pushteti dhe pranoi një tranzicion të butë të pushtetit drejt të djathtës.
Hanxhar i krimit – Një shprehje e përdorur nga Sali Berisha rreth vitit 2006 për të karakterizuar të gjitha kritikat që mund t’i bënte media atij vetë apo qeverisë së tij. U përdor krahas shprehjes Media e krimit.
Kleptokraci – Qe një shprehje e përdorur fillimisht nga Sali Berisha për të karakterizuar (me shumë të drejtë) mënyrën e qeverisjes së socialistëve në periudhën 1997-2005. Një sistem qeverisës ku kryhen vjedhje masive të fondeve publike me synimin që këto fonde të përdoren për të blerë ndikim politik në zgjedhje. Nën një sistem të tillë, hajduti më i madh bëhet automatikisht politikani më i suksesshëm. Berisha pasoi socialistët gjatë qeverisjes së tij, 2005-2013, duke zbatuar pikërisht këtë sistem.
20 për qindëshi – Një shprehje e dalë në fillim të viteve 2000 për të karakterizuar sistemin korruptiv të krijuar nga kryeministri i kohës Ilir Meta, ku çdo funksionar i administratës që vidhte para apo merrte rryshfet, detyrohej t’i transferonte shefit përkatës 20 për qind të shumës së grabitur në mënyrë që shefi t’i transferonte nga shuma e mbetur 20 për qind shefit më sipër, deri te ministri dhe kryeministri. 20 për qindëshi u përdor edhe si akuzë nga Partia Demokratike për të karakterizuar sistemin e dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë nga kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama në periudhën 2000-2011.

Vijon...

No comments: