Pangosje – Për shkak se në gjuhën
shqipe nuk ka një fjalë të përshtatshme për “sexual harasment”, Pangosje hyri në
terminologjinë politike si tipi i zyrtarit manjak që kërkon të ketë marrëdhënie
seksuale me çdo aplikante për punë. Hyri në terminologjinë politike pasi
emisioni investigativ Fix Fare dërgoi së paku dy vajza si aplikante të rreme për
punë në zyrën e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe që të dyja përfunduan
“të pangosura”.
Spiun – Kur ndokush del kundër
vijës zyrtare të Partisë Demokratike, konsiderohet ‘spiun’ dmth bashkëpunëtor i
shërbimit të sigurimit të brendshëm gjatë diktaturës komuniste. Është një
shprehje në përputhje të plotë me medotën e propagandës që thotë: çfarëdo
argumenti që t’ju japin, mos e besoni, është djalli ai që po jua thotë.
Mitingash – Një njeri që e ka për profesion
të marrë pjesë në çdo miting, me apo pa pagesë në mbështetje të njërës apo disa
partive njëherësh.
5 mijë lekësh – Etiketë për njerëzit që
janë aq të varfër sa paguhen nga partitë politike me 5 mijë lekë të vjetra për
të marrë pjesë në miting.
Mjaftist – Djalë i ri që flet
gjysmë shqip dhe gjysmë anglisht, përgjithësisht i cekët, që flet për gjëra të
mëdha në përpjekje për të kapur ndonjë post te partitë politike.
KOP-its – Anëtar i Komisionit për
Orientimin e Politikave, një grup që funksionoi para zgjedhjeve të vitit 2005
si një argument propagandistik për të treguar se Partia Demokratike ‘ka
ndryshuar’ nuk është më ajo e dhunshmja. Zakonisht punonjës i nivelit të ulët të
ndonjë OJQ-je ndërkombëtare, përgjithësisht çun i bukur, jo gjithmonë i vlefshëm,
që tërheq simpatinë e vajzave të vogla me një buzëqeshje rrezëlluese.
Kokpalar – Njeri që merr pjesë në
një protestë të opozitës, nuk ka asnjë synim për post publik por përfundon i
vrarë dhe i harruar.
Padrino – Huazuar nga filmat
italianë me mafia, nënkupton ish-kryeministrin Fatos Nano, etiketuar në këtë mënyrë
nga Sali Berisha, deri sa ky i fundit mori pushtetin dhe u bë mik i Nanos. Me këtë
rast, Berisha deklaroi se etiketimi i kundërshtarit me fjalën “padrino” është
një gjuhë fushate dhe nuk duhet të merret seriozisht.
Hi Gomar! – Emri me të cilin
aktivisti shqiptaro-amerikan Geri Kokalari thërret Lulzim Bashën, pasi pa se ky
i fundit u bë një grabitqar pa limit i parave publike sapo zuri vend në qeveri
pas vitit 2005.
Aksident Teknologjik – Kur një grup
hajdutësh punësojnë fëmijë 12 vjeçarë për të demontuar municione me shpejtësi,
me synimin për të vjedhur metalin dhe barutin me të cilin janë prodhuar
municione, shkaktojnë shumë të vdekur në punë e sipër, atëherë kjo do të thotë
se kemi të bëjmë me një defekt në përllogaritjen e nxehtësisë së krijuar nga
fërkimi i gishtave të fëmijëve mbi metalin e predhave. Ky qe shpjegimi që i dha
qeveria e Sali Berishës shpërthimit të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec pranë
Tiranës, ku 26 vetë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën.
Qëndrestar – Një budalla naiv që
vijon t’i qëndrojë besnik një udhëheqësi politik pavarësisht të gjitha të
zezave që ai bën, ndërkohë që qëndrestari nuk ka asnjë përfitim materjal për
veten. Termi u krijua nga mitingjet e përditshme të Partisë Demokratike në
vitet 1998-2000, të cilat përfunduan me arrestimin për një natë të Sali Berishës
nga aleati i tij i mëvonshëm në qeverisje, Ilir Meta.
Komunistat blu – Një term i përdorur përgjithësisht
për funksionarët e Partisë Demokratike që kanë patur një karrierë si funksionarë
të Partisë së Punës apo shtetit komunist.
Biznesmen – Politikan kriminel me
një pasuri të madhe të fituar përgjithësisht duke shitur drogë apo duke shfrytëzuar
prostituta në Europë. Thirret nga media “biznesmen” në pamundësi për t’i dhënë
etiketën e përshtatshme.
No comments:
Post a Comment