Qarku Shkodër, përmbysja erdhi nga LSI dhe PKDSH-ja
Zgjedhjet
parlamentare të 23 qershorit 2013 në Qarkun Shkodër, sollën një “përmbysje” në
favor të partive të renditura krahas Partisë Socialiste, por kjo përmbysje nuk
u shkaktua nga vetë Partia Socialiste. Siç shihet në tabelë, në vitin 2013 pati
një rritje me 4 mijë numri i votuesve në këtë qark, ndërsa Partia Socialiste
mori vetëm 3500 vota më shumë, Partia Demokratike humbi 11 mijë vota.
Votat e humbura
nga Partia Demokratike duket se u morën pjesërisht nga Lëvizja Socialiste për
Integrim, (plus 10 mijë vota më shumë se sa në 2009) si dhe nga një parti e vogël
demokristiane, e cila qe renditur me koalicionin e majtë dhe arriti të fitojë
një mandat deputeti. Pra përmbysja e madhe në Qarkun e Shkodrës nga djathtas –
majtas, në fakt është shkaktuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia
Kristian Demokrate e Shqipërisë, me të parin në listë Mark Frrokun dhe të
dytin, Arben Frroku, mori afërsisht 6800 vota ose 5.56 për qind të totalit të votave
në Qarkun Shkodër.
Në një farë mënyre,
shkodranët e mërzitur ndaj Partisë Demokratike, protestojnë me votë duke votuar
LSI-në. Nga ana tjetër Shkodra ka një numër të konsiderueshëm votash që shkojnë
për partitë e vogla, vota që më 2009 qenë të fragmentarizuara dhe nuk prodhuan
asnjë mandat deputeti, ndërsa kësaj here duket se u përqendruan mjaftueshëm për
të prodhuar një mandat deputeti.
Sa i përket mandateve, PS ruajti të njëjtin numër si më 2009, ndërsa PD ra nga 7 në 5, ku një mandat i kaloi LSI dhe një mandat i shkoi partisë PKDSH.
No comments:
Post a Comment