Sunday, June 17, 2012

Republika e Lazaratit: Po na sulmuat, do të shpallim pavarësinë


Nga korecpondenti i posaçëm i Lajme Ruritania në Lazarat.
“Ktheni kokën prapa në kohë, shumë herë na keni sulmuar me takse dhe topa, por kurrë nuk keni arritur të mposhtni lirinë që gjendet në shpirtin tonë.” 
Një grupim secesionist në republikën e lirë të Lazaratit kërcënoi sot Ruritaninë se do të përballet me rezistencë të armatosur si dhe me shpalljen e pavarësisë së plotë të kësaj republike. Duke marrë shkas nga deklarata e Gjeneralit Burgaj, i cili tha se kishte ndër mend të shtypte me dhunë popullin e lirë, por bezdisës të Lazaratit, një grupim politik i vetëquajtur “Mirëqënie për të gjithë përmes lirisë” deklaroi se lazaratasit tashmë ndjehen tepër të zemëruar nga incidentet ndërkufitare me Ruritaninë.
“Tashmë u bënë shumë muaj që Ruritania organizon incidente kufitare si dhe bastis nënshtetasit tanë duke i penguar të bëjnë tregtinë e tyre si njerëz të lirë,” thuhet në deklaratë. “Menduam se fakti që provokimet janë kufizuar te sekuestrimi i mallit, por nuk kanë shkuar përtej, si psh te arrestimi i qytetarëve tanë, qe një tregues se Ruritania nuk qe e gatshme të hynte në një konfikt të hapur me ne. Por tani po dëgjojmë për kërcënime me invazion dhe ne ju bëjmë të ditur se populli i lirë i Lazaratit do të bëjë një luftë të ngjashme me atë të Davidit kundër Goliathit, për të mbojtur të drejtat tona natyrore që të mbjellim atë që toka bujare prodhon, sa më shumë e sa më mirë,” vijon më tej komunikata.
“Ne nuk jemi një vend me demokraci false si Ruritania,” thonë Lazaratasit. “Këtu te ne liria ushtrohet me të drejta të plota. Ruritania kërkon nga ne që të mos mbjellim atë që Zoti ka krijuar për të mirën e njerëzimit. Ky nuk është një kërcënim vetëm për lirinë tonë, është kërcënim për vetë ekzistencën tonë,” thotë grupimi politik Lazarati i Lirë. 

No comments: