Me një lëvizje që
komentohet nga gjithkush si një tërheqje nga deklaratat e mëparshme për pushtim
të gjithanshëm të republikës së vogël por krenare të Lazaratit, qeveria e
Ruritanisë njoftoi sot se nuk ka ndër mend ta pushtojë republikën kryeneçe, por
do ta detyrojë të dorëzohet përmes një bllokade të hekurt të vendosur nga toka,
ajri dhe deti.
Kryegjenerali i
Ruritanisë Hysni Burgaj tha se pasi u bënë llogaritë, një pushtim fizik i Lazaratit
doli teknikisht i vështirë për shkak të karakterit guerilas të milicisë vendëse.
Për këtë arsye, u vendos rrethimi i fshatit.
“Aleati ynë
Italia fashiste do të kontrollojë ajrin dhe detin ndërsa forcat tona do të kontrollojnë
tokën,” njoftoi Burgaj. Ushtria e tij ka në dispozicioni 1 (një) mjet të rëndë
të quajtur diagaç për t’u përballur me çdo tentativë të pritshme të lazaratasve
për të çarë bllokadën ndërsa aleati i Ruritanisë, Italia, pritet të angazhojë 1
(një) helikopter të paarmatosur.
Ruritania disponon
në arsenalin e saj avionë që nuk fluturojnë, anije që nuk lundrojnë dhe
helikopterë për të cilët nuk ka karburant. Republika e vogël e Lazaratit ka një
milici të pajisur me armë të lehta, por ndikimi politik që paratë e tyre mund të
blejnë, konsiderohet nga analistët ushtarakë si arma më e fuqishme dhe
strategjike në dorë të republikës së vogël, e cila, njësoj si Zululandi, ka një
territor në formë ishulli brenda Ruritanisë.
Ndërkohë, mbretëria
e Zululandit dërgoi një notë proteste pranë Ruritanisë duke e konsideruar
vendimin për ngritjen e bllokadës ndaj Lazaratit, një shkelje flagrante e
ligjit ndërkombëtar.
“Shqipëria nuk ka
marrë autorizim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe teknikisht, të dy palët
nuk janë në luftë. Ne e konsiderojmë bllokadën një xhest të neveritshëm që
shkon kundër vlerave themelore të qytetërimit,” thotë Zululandi, aleati kryesor
i Lazaratit.
No comments:
Post a Comment